Urimi i fitër Bajramit
Të nderuar vëllezër besimtarë!
Edhe pak orë dhe do përcjellim muajin më të veçantë, muajin e Kuranit fisnik, muajin e edukimit dhe humanizmit, muajin e shenjtë të Ramazanit në të cilin ne të gjithë e shprehëm dashurinë dhe besimin tonë të sinqertë e të paskajshëm ndaj Krijuesit të të gjitha botëve, Allahut Fuqiplotë; muaj i cili karakterizohet me plot adhurim, urtësi, porosi, kulturë, moral, vetëdijesim, ringjallje shpirtërore e trupore, me korniza të definuara pozitivisht dhe me koncept shumëngjyrësh e shumëdimensional; Ramazani si muaj që simbolizon disiplinë dhe gatishmërinë e besimtarit të denjë për të shërbyer në dobi të shoqërisë, shpresoj të ketë forcuar edhe më shumë bindjen tonë e të ketë fisnikëruar shpirtin e çdo myslimani.
Të nderuar besimtarë!
Ramazani sikurse çdo vit, edhe sivjet na rikujtoi edhe një herë pikat problematike dhe të dobëta të njeriut dhe njerëzimit. Sa i dobët që është njeriu para Zotit të Tij! Zot mos na lësho duarsh sa hap e mbyll sytë!
Këto ditë të vështira për
njerëzimin dhe në veçanti për muslimanët gjatë muajit Ramazan, pasi iu kufizuan shumë aktivitete fetare, shpreh mirënjohje të veçantë për mirëkuptimin dhe demostrimin e një qytetarie nga ana e muslimanëve në tejkalimin e kësaj krize.
Të nderuar vëllezër besimtarë!
Edhe pak orë do na kaplojë hareja e festës së fitër Bajramit, kjo festë është dita e largimit të brengave, dita e shpresave të reja, është dita e të kujtuarit për njëri-tjetrin, dita e një jete të re, e pendesës për gabimet, e projekteve dhe veprave të mira. Dita kur mëritë, hatërmbetjet, xhelozia dhe smira marrin fund. Bajrami është solidarizim me mbarë shoqërinë. Zoti e ka veçuar Bajramin si moment gëzimi, prandaj neve na takon ta vlerësojmë në këtë mënyrë.
Më lejoni që në emër të Unionit të Bashkësive Islame në Gjermani (UIAZD), dhe në emrin tim personal, tjua uroj festen e Fitër-Bajramit, me dëshirën që në mbarë botën të mbretërojë shëndeti njerëzor, siguria, paqja, harmonia dhe dashuria !
Uroj që Bajrami t’ju ketë gjetur me më shumë paqe në vetvete dhe devotshmëri e mirëkuptim njerëzor!
Uroj që kjo pandemi të tejkalohet sa më shpejt dhe Zoti e kompensoftë këtë kohë me begati të e Tij të panumërta. Shëndet e mbarësi për të gjithë myslimanët shqiptar kudo ku jetojnë e punojnë!
Me respekt:
Mensur Halili