Union der Islamisch-Albanischen Zentren in Deutschland e.V.

Më pyesin për Kudsi Sherifin..?!

Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë vetëm All-llahut të Madhëruar, Zotit të vetëm të gjithësisë, i Cili urdhëron në Kur’anin Famëlartë: “Shtëpia (xhamia) e parë e ndërtuar për njerëz, është ajo në Bekë (Mekë), e dobishme, udhërrëfyese për mbarë njerëzimin.”[1]

Krejt salavatet dhe selamet më të përzemërta ia dërgojmë zotërisë së bijve të Ademit, Hz. Muhammedit (a.s), të cilin e dërgoi All-llahu mëshirë për krejt krijesat e Tij. Thotë, në hadithin e transmetuar nga Ebu Hurejra (r.a)[2]: “Nuk ndërmerret udhëtimi (për qëllim adhurimi e vizite) vetëm se drejt tre xhamive: Mesxhidi Haramit, Mesxhidit të dërguarit të All-llahut (a.s) dhe Mesxhidi Aksasë”.

Të dashur dhe të nderuar të pranishëm, motra dhe vëllezër,

Transmetohet se, kur Hz. Omeri (r.a) udhëtoi drejt Kudsi Sherifit për të marrë në dorë çelësat e Bejti Makdisit, pasi muslimanët shpartalluan kolonizimin romak dhe e mposhtën atë, në pritje të Hz. Omerit kishte dalë komandanti i përgjithshëm i muslimanëve, Hz. Ebu Ubejde (r.a)[3], së bashku me ushtarakë të tjerë, priftërinj, murgjër dhe një masë e madhe njerëzish prej krejt shtresave. Rruga ishte plot baltë. Kur Hz. Omeri mbërriti, hoqi shapkat e tij, shpërvjeli rrobat dhe u fut me këmbë në baltë, para të gjithëve; muslimanë, të krishterë, arabë e romakë!

Ebu Ubejde nuk e pëlqeu këtë veprim dhe pasi iu afrua, i tha: “O prijës i besimtarëve! Sapo veprove një vepër të rëndë para këtyre njerëzve, pse kështu? Para romakëve dhe të huajve?”

Ndërkohë, Hz. Omeri, teksa e goditi në gjoks, ia ktheu: “Ta thoshte dikush tjetër, o Ebu Ubejde?! Ju, o arabë, ishit njerëzit më të poshtëruar, më të nënçmuarit, më të pavlerët, All-llahu ju krenoi me Islam! Prandaj, sado që ta kërkoni krenarinë me diçka tjetër pos tij, do t’ju poshtërojë All-llahu!”[4]

Në fakt, ky mesazh i Hz. Omerit (r.a), mjafton për të parë në pasqyrën e tij atë që ngjet sot, në mbarë botën islame, me krejt ymetin e mbi 1 miliard e 500 milion frymëve…

Në hyrje të kësaj hytbeje, përmenda ajetin 96 të sures “Ali Imran”, që bën fjalë për ndërtimin e faltores së parë në historinë e jetës së njeriut. Në tefsirin e tij të këtij ajeti, Imam Kurtubiu, ndër të tjera shënon: [Është vërtetuar në librin e Imam Muslimit, se Ebu Dherri (r.a) ka thënë: E pyeta të dërguarin e All-llahut (a.s) për xhaminë e parë të ndërtuar mbi tokë. Tha: “Mesxhidi Harami (Qabja e Madhnueshme)” I thashë: Pastaj cila? Tha: “Mesxhidul-Aksaja”[5] I thashë: Sa kohë kishte në mes tyre? Tha: “Katërdhjetë vite…”][6]

E, duke vijuar shpjegimet e tij mbi Aksanë e shenjtë, Kurtubiu thekson: [Mesxhidi Aksanë e ka ndërtuar Hz. Sulejmani (a.s), sikurse transmetohet në Sunenët e Nesaiut, me isnad të saktë, nga hadithi i Abdull-llah ibn Amrit, se Resulull-llahu (a.s) ka thënë: “Kur Sulejman ibn Davudi, alejhis-selam, ndërtoi Bejti Makdisin, iu lut All-llahut për tre gjëra: Iu lut All-llahut të Madhëruar t’i jepte pushtet të pakrahasueshëm; iu dha! Iu lut All-llahut të Madhëruar t’i jepte pasuri, që mos ta kishte askush pas tij; iu dha! Iu lut All-llahut të Madhëruar, kur sapo kishte përfunduar ndërtimin e Xhamisë që, kushdo që do ta vizitonte atë, i shtyrë për të falur namazin në të, ta pastronte nga të gjitha gabimet, si ditën që e ka lindur e ëma; iu dha!” [7]

Në Kur’anin Famëlartë, teksa lexojmë fillimin e sures El-Isra, kuptojmë edhe më shumë për madhështinë dhe shenjtërinë që i ka dhënë All-llahu Fuqiplotë, Xhamisë Aksa dhe Kudsi Sherifit në përgjithësi. Lexojmë bashkarisht: “Pa të meta është Lartmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabes) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukaddes), rrethinën e të cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t’ia treguar atij disa nga argumentet Tona. Vërtet, Ai është dëgjuesi (i fjalëve të Muhammedit), pamësi (i punëve të Muhammedit)”[8]

Imam Razi, në tefsirin e këtij ajeti shpjegon: “(Pjesa e ajetit): “gjer në Mesxhidi Aksa”, janë të një mendimi dijetarët, se ka për qëllim Bejti Makdisin. Është quajtur Aksa, për largësinë e distancës[9] nga dhe drejt Mesxhidi Haramit. Ndërsa pjesa e ajetit: “rrethinën e të cilës Ne e kemi bekuar”, kanë thënë: Me fruta e lumenj, sikurse kanë thënë, edhe: Për shkak se ai vend është vendpushim i pejgamberëve, vendzbritje e melekëve[10]

Ibn Is’haku thoshte: “(Resulull-llahu) E bëri Isranë nga Mesxhidi Harami drejt Mesxhidi Aksasë, që është Bejtul-Makdis”[11]

Duke komentuar ajetin e ndodhisë së Israsë, Imam Kurtubiu, thekson gjithashtu, se: “Aksa (arabisht: më e largëta), është quajtur kështu për distancën nga Mesxhidi Harami. Ishte xhamia më e largët në tokë për banorët e Mekës, madhërohej me vizita”[12]

Ndërsa dijetari dhe thirrësi i shquar bashkëkohor, Dr. M. Ratib En-Nabulsi, në tefsirin e tij të këtij ajeti, ndër të tjera shpjegon, se: “Pjesa e ajetit: “rrethinën e të cilës Ne e kemi bekuar”, nënkupton vendet e Shamit (Palestinë, Jordani, Siri dhe Liban)… Në transmetimin e marrë nga Sunen Ebi Davud: “Shko në Sham, sepse ajo është me e përzgjedhura e All-llahut në tokën e Tij, përzgjedh drejt saj më të mirët e robëve të Tij…”[13]

Shko në Sham me zemër, shko në Sham me dhembshurinë e Shamit, shko në Sham me lutje e përgjërime para duarve të Krijuesit, për sigurinë, paqen e mirëqenien e vëllezërve e motrave që ke atje!

Po aty, ai sjell transmetimin e Imam Muslimit, ku përmendet, se: “Kur (Resulull-llahu) u fal imam në mesin e pejgamberëve, në Bejti Makdis, mësoi se ai ishte Zotëria i bijve të Ademit, Vula e lajmëtarëve të Zotit, Imami i të dërguarve…”[14]

Të dashur të pranishëm,

Nuk ka dyshim se, Bejti Makdisi me xhaminë e tij, ka një shenjtëri të veçantë për mbarë muslimanët e globit, deri në ditën e kiametit. Transmetohet, se Resulull-llahu (a.s) ka thënë: “Namazi në Mesxhidi Haram ka vlerën e njëqind mijë namazeve, ndërsa namazi në xhaminë time ka vlerën e njëmijë namazeve, ndërsa namazi në Bejti Makdis ka vlerën e pesëqind namazeve”[15]

Për fund të kësaj hytbeje, u ndala tek vepra e burrit të urtë damasken, Shejkh Ali Tantavi, “Burra nga historia”, ku ka një përshkrim të mrekullueshëm për legjendën e shekujve të shkuar, Salahudin Ejjubin.

Në përshkrimin e tij me titull: “Çlirimtari i Kudsit”, ndër të tjera shkruan: “E kam lexuar shumë herë jetën e Salahudinit. Sërish iu riktheva para se të shkruaja këtë kapitull. Lexova për jetën dhe luftrat e tij, më se njëmijë faqe. Gjëja më e çuditshme që gjeta ishte fakti, se si arriti të triumfojë ky burrë i madh (shumë i madh), në atë kohë të prishur (shumë të prishur), duke mundur një armik të fortë (shumë të fortë).”[16]

Lexoni me vëmendje: burrë i madh (shumë i madh), kohë e prishur (shumë të prishur), armik i fortë (shumë i fortë).

U ndala për pak, ktheva vështrimet nga momenti i hyrjes së Hz. Omerit çlirimtar në Kudsi Sherifë, me këmbë në baltë dhe, sikur dëgjova fjalën e tij, si jehonë horizontesh të dritshme: “Ju, o arabë, ishit njerëzit më të poshtëruar, më të nënçmuarit, më të pavlerët, All-llahu ju krenoi me Islam! Prandaj, sado që ta kërkoni krenarinë me diçka tjetër pos tij, do t’ju poshtërojë All-llahu!”[17]

Sot, Kudsi Sherifë thërret me madhështinë e tij mbarë ymetin islam, për t’u solidarizuar me të, për t’u lutur bashkarisht, për paqen, për harmoninë, për drejtësinë, për besimin, për lirinë, për të ardhmen!

Imam Muhamed B. Sytari

Myfti i Zonës Shkodër

(Hytbeja e mbajtur, më 8 dhjetor 2017 në xhaminë e Parrucës, Shkodër)


[1] Kur’ani, Ali Imran: 96.

[2] Transmetuar nga Bukhariu, Muslimi etj.

[3] Falënderimet i takojnë All-llahut të Madhëruar që ma mundësoi ta vizitoj varrin e këtij burri të madh, [“besniku i këtij ymeti”, siç e ka cilësuar Resulull-llahu (a.s)], më 20 nëntor 2017, gjatë vizitës në Jordani.

[4] Shejkh Ahmed Keftaro, Min hedjil-Kur’an, pa vit botimi, Damask, f. 129.

[5] Në Palestinën martire.

[6] Imam Kurtubiu, El-xhamiu li ahkamil-Kur’an, botimi i dytë, Kajro, 1996, vëll. i 4-t, f. 145.

[7] Imam Kurtubiu, vep. e cit., vëll. i 4-t, f. 146.

[8] Kur’ani, El-Isra: 1.

[9] Afërsisht, distanca ndërmjet këtyre dy vendeve është 1400-1700 km.

[10] Imam Razi, Et-Tefsirul-kebir, botimi i parë, Bejrut, 1990, vëll. 20, f. 117.

[11] Imam Kurtubiu, vep. e cit., vëll. i 10-të, f. 215.

[12] Imam Kurtubiu, vep. e cit., vëll. i 10-të, f. 217.

[13] Dr. Muhammed Ratib En-Nabulsi, Tefsirun-Nabulsi, botimi i parë, Aman, 2016, vëll. i 5-të, f. 197.

[14] Dr. Muhammed Ratib En-Nabulsi, vep. e cit., vëll. i 10-të, f. 198.

[15] Transmetuar nga Bezzari, hasen, si dhe Tabaraniu, nga Ebu Derdai (r.a).

[16] Ali Tantavi, Burra nga historia, botimi i 10-të, Xhide, 2008, f. 217.

[17] Shejkh Ahmed Keftaro, Min hedjil-Kur’an, pa vit botimi, Damask, f. 129.

Nach oben scrollen